Gjermani-Egjipt diskutojnë krizën humanitare në Gazë
2024-03-26 12:28:24

Kryediplomatja gjermane (Foto Anadolu)

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, u takua me homologun e saj egjiptian Sameh Shoukry në Kajro për një raund tjetër bisedimesh për krizën humanitare në Rripin e Gazës, njofton “ATSH”.

Baerbock, për javë të tëra, ka bërë thirrje për një armëpushim humanitar në mënyrë që pengjet izraelite që ende mbahen nga Hamasi islamik të mund të lirohen dhe furnizimet e ndihmës të mund të arrijnë në Rripin e Gazës.

Në fillim të udhëtimit të saj në Lindjen e Mesme, kryediplomatja gjermane kërkoi që Izraeli dhe Hamasi të arrinin një marrëveshje për një armëpushim të përkohshëm.

“Vetëm një armëpushim i menjëhershëm humanitar që çon në një armëpushim të përhershëm do të mbajë të gjallë shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët”,- deklaroi Baerbock. (Fatosi)