Rusia mosbesuese për autorësinë e ISIS në sulmin në Moskë
2024-03-26 12:36:42

Policia ne Rusi (Foto Oranews)

Megjithëse grupi miltant Shteti Islamik (ISIS) mori përsipër sulmin e së premtes në Moskë, me qindra viktima e të plagosur, Rusia pretendon se Ukraina mund të ketë pasur rol në të, shkruan “RTSH”.

Dyshimet u ngritën nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakarova, e cila përmes një artikulli në gazetën “Komsomolskaya Pravda” u shpreh se deklaratat e SHBA-së mbi ISIS-in mund mos të jenë krejtësisht të vërteta dhe se pala amerikane do që të shpëtojë Ukrainën nga përgjegjësia.

Reagimi erdhi pasi dy zyrtarë amerikanë thanë të premten se nga informacionet e tyre, sulmin e kreu Shteti Islamik. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, u tha gazetarëve se nuk do të komentojë mbi ISIS-in pa u mbyllur hetimet paraprake.

Të premten mbrëma, katër persona u arrestuan për akte terrorizmi në Sallën e Qytetit të Krokusit, ku lëshuan breshëri plumbash ndaj pjesëmarrësve në një koncert roku. Zyrtarët amerikanë thanë se e kishin paralajmëruar Rusinë për një sulm në fillim të muajit.

Ukraina ka mohuar çdo përfshirje në këtë sulm vdekjeprurës.

Autoritetet ruse ndaluan 11 persona në lidhje me ngjarjen, përfshirë edhe katër të dyshuarit, të cilët pasi u larguan nga vendngjarja u drejtuan nga rajoni i Brianskit, rreth 340 km në jugperëndim të Moskës për të kaluar kufirin për në Ukrainë. (Fatosi)