Policia Rrugore ndalon dhjetëra drejtues mjetesh për shkelje
2024-03-26 17:03:21

Policia (Foto Oranews)

Policia (Foto Oranews)

Policia Rrugore shqiptare ka ndaluar 30 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa lejedrejtimi, njofton “ATSH”.

Ajo ka zhvilluar planin operacional “ROADPOL”, për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit, qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara dhe kryejnë shkelje të tjera të cilat janë burim për përfshirje në ngjarje rrugore.

Në zbatim e këtij plani janë evidentuar dhe ndëshkuar 1512 drejtues automjetesh që përdornin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe 6364 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara.

Gjithashtu, janë vendosur 22.500 masa administrative, për parakalime të gabuara, për mosvendosje të rripit të sigurimit nga drejtuesit e automjeteve apo të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve dhe për shkelje të rregullave të tjera të qarkullimit rrugor.

Policia Rrugore bën të ditur se do të intensifikojë monitorimet, duke përdorur mjetet inteligjente “Poliscan”, radarët automatikë dhe gjithë bazën logjistike që ka në dispozicion.

Policia u bën apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. (Fatosi)