OKB miraton draftin për armëpushim të menjëhershëm në Gazë
2024-03-26 11:59:43

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një projektrezolutë që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm midis Gazës dhe Izraelit. Shtetet e Bashkuara abstenuan.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit nënvizon nevojën urgjente për të zgjeruar rrjedhën e ndihmave humanitare dhe për të forcuar mbrojtjen e civilëve në të gjithë Rripin e Gazës dhe përsërit thirrjen për heqjen e të gjitha pengesave për dërgimin e ndihmës humanitare, shkruan “RTSH”.

Radioja Ushtarake e Izraelit transmetoi pak para fillimit të takimit të Këshillit se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të anulonte misionin e planifikuar në Uashington nëse SHBA nuk do të vinte veton ndaj rezolutës.

SHBA-ja ka vënë veton ndaj tre projektrezolutave të KS-së së OKB-së për luftën në Gaza.

Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield tha se ndërsa rezoluta e fundit përfshin redaktime të kërkuara nga SHBA-ja, vendi nuk mund të votonte, sepse nuk ishte dakord me gjithçka.

SHBA-ja kishte refuzuar për muaj të tërë të pranonte termin “armëpushim” dhe kishte përdorur të drejtën e vetos për të mbrojtur Izraelin.

Por mes presionit global në rritje për një armëpushim në luftën që ka vrarë më shumë se 32.000 palestinezë, SHBA-ja abstenoi nga votimi të hënën për të lejuar Këshillin e Sigurimit të kërkojë një armëpushim të menjëhershëm për muajin e Ramazanit, i cili skadon pas dy javësh.

Ata gjithashtu kanë abstenuar dy herë, duke lejuar Këshillin të miratojë rezoluta që synojnë rritjen e ndihmës për Gazën dhe duke bërë thirrje për pauza të zgjatura në luftime. (Irma)