Gjykata shtyn ekzekutimin e vendimit për gjobën ndaj ish Presidentit Trump
2024-03-26 21:02:32

foto: VCG

foto: VCG

Gjykata e apelit në Nju Jork vendosi të hënën të shtyjë ekzekutimin e vendimit të gjobës prej 454 milionë dollarësh ndaj ish-presidentit Donald Trump, nëse ai arrin të depozitojë një garanci prej 175 milionë dollarësh brenda 10 ditëve.


Nëse garancia depozitohet, kjo do të pezullojë procesin e ekzekutimit të vendimit dhe do t’ia ndalojë shtetit të Nju Jorkut sekuestrimin e pasurive të kandidatit të pritshëm për president të Partisë Republikane, ndërsa vazhdon procesi i apelimit. Gjykata e apelit vendosi gjithashtu të rrëzojë masën e dhënë nga gjykatësi i shkallës së parë që ua ndalonte për shtatë vjet zotit Trump dhe djemve të tij, Eric Trump dhe Donald Trump Jr., drejtimin e bizneseve në Nju Jork.


Vendimi i gjykatës së apelit është një fitore e rëndësishme për ish-presidentin, ndërsa ai mbron perandorinë e tij të pasurive të patundshme, që e ndihmoi të hyjë në jetën publike amerikane.


Masa e gjykatës së apelit u dha pak përpara afatit kur prokurorja e Nju Jorkut, Letitia James, e zgjedhur nga radhët e demokratëve, pritej të fillonte procesin e ekzekutimit të vendimit të gjobës.


Ish presidenti Trump, i cili po ndiqte një tjetër seancë gjyqësore po në Nju Jork për një padi penale për pagesën e bërë për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, deklaroi se do ta respektojë vendimin e gjykatës së shkallës së dytë dhe se do të paraqesë me shpejtësi garancinë e kërkuar prej 175 milionë dollarësh, brenda afatit të caktuar.