Sulmi në Moskë, Franca ngre alarmin e sigurisë në nivelin më të lartë
2024-03-26 12:35:39

Kryeministri francez (Foto Anadolu)

Pas sulmit terrorist në sallën e koncerteve pranë Moskës, Franca ka ngritur alarmin e saj të sigurisë në nivelin më të lartë, njoftoi kryeministri francez, Gabriel Attal, citon “ATSH”.

“Hapi i ndërmarrë gjatë një takimi të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, të thirrur nga presidenti Emmanuel Macron, erdhi pasi grupi terrorist i Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin”,- shkroi ai në një postim në “X”.

“Duke pasur parasysh që Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe kërcënimet që mund të prekin vendin tonë, ne kemi vendosur të ngremë “Vigipirate”, sistemi i alarmit i sigurisë kombëtare, në nivelin më të lartë: vëmendje urgjente”,- tha Attal.

Alarmi për një sulm të mundshëm terrorist në Francë ka tre nivele dhe alarmi më i lartë mund të vendoset menjëherë pas një sulmi ose kur një grup terrorist i identifikuar dhe i palokalizuar bëhet aktiv.

Niveli më i lartë i alarmit vendoset për një periudhë të kufizuar kohore gjatë menaxhimit të krizës. Ai lejon mobilizimin e jashtëzakonshëm të burimeve, por edhe shpërndarjen e informacionit që mund të mbrojë qytetarët në një situatë krize. (Fatosi)