Tunizia bllokon 28 varka të nisura drejt Italisë
2024-03-25 12:01:25

Foto Atsh

Foto Atsh

Roja Bregdetare tuniziane pengoi 28 përpjekje për emigrim të parregullt duke kapur 1178 njerëz në brigjet e rajonit Sfax, kryesisht nga Afrika Sub-Sahariane, përveç 18 tunizianë, në bordin e disa varkave me drejtim Italinë, njofton “ATSH”.

Lajmi u bë i ditur nga Garda Kombëtare e Tunizisë, duke saktësuar se gjatë operacionit të shpëtimit janë gjetur edhe dy trupa të pajetë.

Në kuadër të luftës kundër fenomenit të emigrimit të parregullt, Garda Kombëtare ndaloi në Sfax 9 persona, me akuzën e përfshirjes në trafikim të qenieve njerëzore, si organizatorë të kalimeve të paligjshme apo ndërmjetës.

I njëjti burim bën të ditur se ka sekuestruar 15 varka metalike, 25 motorë varkash dhe një sasi të caktuar karburanti.  (Fatosi)