Kryeministri Rama: Qeveria ka rritur masën e zonave të mbrojtura në 1/4 e territorit
2024-03-24 11:12:18

Foto:VCG

Foto:VCG

Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se qeveria ka rritur masën e zonave të mbrojtura duke e çuar në gati 1/4 e territorit të vendit, afro 25%.

Gjatë një interviste televizive, cituar nga “ATSH”, kryeministri Rama tha se qeveria ka bërë dhe inventarin e zonave të mbrojtura.

“Të deklarosh një zonë të mbrojtur ka një sërë kriteresh nga biodiversiteti te sasia e burimeve natyrore aty, është një gjë shumë komplekse. Ne kemi shpallur një zonë të mbrojtur unikale që kalon gjithë trupin e vendit, parkun kombëtar të Vjosës”, tha Rama.

Vizioni i qeverisë, sipas tij, është për një turizëm që aset kryesor ka natyrën dhe jo godinat.

Foto:VCG

Foto:VCG

Duke folur për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, kryeministri kujtoi se në të gjithë territorin e Shqipërisë janë bërë kthime e kompensime pronash, njohje pronash dhe Shqipëria nuk është një park ku jetojnë zogj e kafshë, por është një territor ku jetojnë njerëz.

“Janë shumë qytete dhe fshatra që preken nga vendosja e Vjosës si zonë e mbrojtur. Atyre nuk mund t’i themi këtu është pyll, natyrë dhe nuk keni të drejtë të ngulni një gozhdë. Duhet t’i harmonizojmë të dyja dhe njerëzit që jetojnë në zonat e mbrojtura të përfitojnë nga fakti se kjo është zonë e mbrojtur, të kenë një ekonomi më të mirë dhe jo të shohin gjethet e zogjtë dhe mos të kenë mundësi për asnjë aktivitet”, tha Rama.

Kreu i qeverisë sqaroi se këtu nuk flitet për ndërtime pallatesh, por për një qasje ndaj pjesëve të caktuara të zonave të mbrojtura që e pranojnë ndërveprimin mes natyrës dhe aktivitetit ekonomik të njeriut.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare nuk ka lejuar asnjë zhvillim në zonë të mbrojtur, por ka trashëguar zona të mbrojtura që janë me zhvillime, me ndërtime etj. (Irma)