BSH: Sektori financiar mbështet teknologjinë për modernizimin e sistemit të pagesave
2024-03-24 10:24:47

Banka e Shqiperise (Foto Eunews.al)

Banka e Shqiperisë (Foto Eunews.al)

Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, deklaroi se Ekonomia e Dijes është një mjedis ekonomik që krijon akses për këdo që ka aftësinë të përthithë dije, por edhe të shfrytëzojë dijet ekzistuese, për të përmirësuar procese në zinxhirin e prodhimit, duke rritur produktivitetin.

Gjatë një leksioni në Fakultetin e Biznesit, Universiteti i Tiranës, departamenti i Shkencave Ekonomike, Ahmetaj i kushtoi vëmendje edhe revolucionit teknologjik dhe potencialit të tij të paeksploruar plotësisht, duke përfshirë ndikimin e inteligjencës artificiale, në zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara në shërbim të jetës sociale dhe ekonomike, shkruan “ATSH”.

Zëvendësguvernatorja theksoi rolin thelbësor të inovacionit, zhvillimit të arsimit dhe mbështetjes nga institucionet financiare, si një infrastrukturë ndërmjetësuese për përfshirjen e një vendi në Ekonominë e Dijes.

Ajo vuri në dukje se e ardhmja i përket atyre që nxisin dhe përqafojnë inovacionin si mënyra e vetme për të përfituar hapësirë në këtë bote të re, si dhe iu referua sfidave dhe rreziqet që vijnë me inovacionin, duke diktuar nevojën për shoqërimin e tij me rritjen e nivelit të sigurisë paralelisht me shumëfishimin e kanaleve bankare. (Irma)