Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të ketë program për mësimin e gjuhës së shenjave
2024-03-24 11:20:11

Gjuha e shenjave (Foto Arsimigjitheperfshires)

Gjuha e shenjave (Foto Arsimigjithepërfshirës)

Gjuha e shenjave është një gjuhë e veçantë, e bazuar kryesisht në komunikimin jo verbal, në gjeste, në mimikë dhe në leximin e buzëve. Mungesa e interpretëve në shkolla profesionale bëhet shpesh pengesë për të ndjekur ëndrrën apo profesionin e të ardhmes së personave që nuk dëgjojnë.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Tiranë pritet të hapë vitin e ardhshëm akademik një program të posaçëm për përgatitjen e interpretëve për gjuhën e shenjave, falë dhe ngritjes së laboratorit të gjuhës së shenjave, i vetmi në Ballkan i këtyre standarteve, shkruan “RTSH”.

Nëpërmjet këtij laboratori studentët do të kenë mundësi të mësojnë alfabetin ndërtimin e fjalëve dhe më pas të fjalive.

Sipas përfaqësuesve të fakultetit, çdokush që do të hyjë te ky fjalor në mënyrë të pavarur do të mundet të mësojë pak nga pak alfabetin, bazat e komunikimit dhe më pas t’i ndërthurë ato për të arritur deri në shprehjen e fjalive apo të koncepteve të plota.

Në Shqipëri llogariten rreth 39 mijë persona që nuk dëgjojnë, duke përfshirë këtu edhe ata që e kanë fituar këtë paaftësi gjatë jetës. (Irma)