Sondazhi: Shumica e suedezëve besojnë se vendi po shkon në rrugën e gabuar
2024-03-24 10:34:41

Tre të katërtat e suedezëve të anketuar besojnë se vendi i tyre po ecën në drejtimin e gabuar, ndërsa një në tre të pyetur thonë se nuk i ndjekin më lajmet sepse janë lodhur, thuhet në një sondazh të publikuar nga Instituti i Universitetit të Shoqërisë, Opinionit dhe Zakoneve të Medias (SOM), citon “Xinhua”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Pesimizmi për mënyrën se si po zhvillohet Suedia nuk ka qenë kaq i theksuar kur studiuesit nga Universiteti i Goteborgut filluan për herë të parë sondazhin mbi këtë çështje në vitin 2012.

Më pak se 10 për qind e atyre që morën pjesë në sondazhin vjetor thanë se Suedia po ecën në drejtimin e duhur.

“Ne nuk i pyesim të anketuarit se në çfarë bazohet këndvështrimi i tyre pesimist, por supozoj se është krimi, rritja e inflacionit dhe kostoja e ushqimit”,- deklaroi Annika Bergstrom, drejtoreshë kërkimore e SOM-së.

Kur u pyetën për pikëpamjen e tyre për gjendjen e ekonomisë suedeze, gati 90 për qind e të anketuarve thanë se ajo ishte përkeqësuar gjatë vitit të kaluar. Sondazhi zbuloi gjithashtu se shumica janë pesimistë për të ardhmen, me 60 për qind të të anketuarve që thonë se besojnë se ekonomia suedeze do të përkeqësohet më tej në vitin e ardhshëm.

Kur u pyetën për gjendjen e financave të tyre private, 45 për qind u përgjigjën se situata e tyre ishte përkeqësuar gjatë vitit të kaluar, nga 34 për qind një vit më parë.

Më shumë se 12.000 individë morën pjesë në sondazhin që u zhvillua nga mesi i shtatorit deri në fund të dhjetorit 2023. (Irma)