Studimi: Shqiptarët me nivel mesatar në testin botëror për gjuhën angleze
2024-03-24 10:50:02

Foto:VCG

Foto:VCG

Një studim i “EF EPI” (EF English Proficiency Index), mbi aftësitë e përdorimit dhe njohjes së gjuhës angleze, tregon se Shqipëria ka shfaqur një përmirësim të vlerësimit nga 523 pikë në vitin 2022 në 533 pikë në vitin 2023, duke u renditur kështu në vendin e 39-të. 

Shqipëria bën pjesë në intervalin 500-549 pikë, të cilat tregojnë për një nivel B2 të pjesëmarrësve që i janë nënshtruar testimit. Pikëzimi dhe rankimi i shteteve bazohet në të dhënat e rreth 2.2 milionë të testuarve në mbarë botën për provimin kombëtar të gjuhës angleze (EF EPI), shkruan “RTSH”.

Vlerësimi më i ulët konsiston në intervalin 1-199 pikë, ndërsa vlerësimi më i lartë i përket intervalit 700-800 pikë. 

Nëse krahasojmë njohuritë e përvetësuara nga pjesëmarrësit shqiptarë, shifrat tregojnë se ato janë njohës më të mirë të gjuhës angeleze se 62% e pjesëmarrësve nga 108 vende të botës.

Pjesëmarrësit nga Holanda, Austria dhe Danimarka kanë siguruar pikët më të larta në testim, me përkatësisht 647 pikë, 616 pikë dhe 615 pikë.

Sipas ekspertëve, tranzicioni gjuhësor në Shqipëri, nga gjuha italiane në gjuhën angleze, reflekton një transformim të shoqërisë dhe kulturës shqiptare në epokën e globalizmit. Në dekadat e fundit ka ndodhur një ndryshim perceptues në preferencën gjuhësore të shqiptarëve kjo për shkak të rritjes së lidhjeve globale që ka sjellë nevojën për njohuri të gjuhëve të huaja, veçanërisht gjuhës angleze, si një gjuhë ndërkombëtare dhe një mjet për komunikim e bashkëpunim me vendet e tjera të botës. (Irma)