Ministrja Ibrahimaj: Akti Normativ për buxhetin përmirëson klimën ekonomike të vendit
2024-03-23 14:30:59

Ministrja Ibrahimaj (Foto RTSh)

Ministrja Ibrahimaj (Foto RTSh)

Ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë një plan të detajuar për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar rëndësinë e ndryshimeve në buxhet dhe mbështetjen për sektorët strategjikë, shkruan “RTSH”.

Ministrja Ibrahimaj tha se Akti Normativ për ndryshimet në Buxhetin e vitit 2024 nuk është vetëm një instrument buxhetor, por një shenjë e qartë e përkushtimit të qeverisë për të përmirësuar klimën ekonomike dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm.

Lidhur me rishikimet e bëra në buxhet, ministrja tha se ato fokusohen kryesisht në fuqizimin dhe forcimin e kapitalit njerëzor, si dhe në garantimin e buxhetit për sektorët kyç të zhvillimit ekonomik.

Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe krijimit të një infrastrukture cilësore turistike. Për këtë qëllim, akti normativ konfirmon krijimin e një task force të specializuar për monitorimin e cilësisë së infrastrukturës turistike, duke siguruar një përvojë cilësore për turistët që vizitojnë Shqipërinë.

Ministrja Ibrahimaj u ndal edhe te sfidat me të cilat po përballet sektori i industrisë fasone, si pasojë e luhatjeve që pësoi kursi i këmbimit me rënien e shpejtë të euros dhe forcimit të lekut.

“Për sektorin fason që nuk importon lëndë të para, por merr materiale porositëse dhe vetëm i përpunon në vend, kostot janë rritur, të ndikuar si nga rritja e kursit të këmbimit, por edhe nga rritja e kostove të punës për shkak të zhvillimeve të tjera ekonomike të vendit. Në Aktin Normativ është përfshirë një masë, që sektori fason të ketë mundësi dhe akses në financim me kosto të ulët, duke u bërë shteti garantor i investimeve të tyre, me qëllim që ky sektor të modernizohet, të kthehen në një strategji që është prej vitesh duke u punuar, për kthimin e sektorit fason në një sektor prodhimi, ku cikli i prodhimit të jetë i mbyllur”,- deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Sipas saj, në këtë rast qeveria do të garantojë investimet dhe një pjesë të kapitalit qarkullues që këtyre fasonëve do t’u duhet për blerjen e lëndëve të para. Ajo theksoi se me modernizimin e këtij sektori rritet edhe performca dhe produktet “Made in Albania” do të rrisin eksportet e tyre në vendet e Bashkimit Evropian. (Irma)