Ministrja Koçiu: Të angazhuar për të rritur e forcuar shërbimet për fëmijët me aftësi të kufizuar
2024-03-23 14:38:22

Në kuadër të Ditës Botërore të Sindromës Down, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, së bashku me nxënësit e shkollës “Musine Kokalari”, zhvilloi një vizitë në Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët, në Tiranë, shkruan “RTSH”.

Ministrja Kociu (Foto RTSh)

Ministrja Kociu (Foto RTSh)

Ministrja ndoqi nga afër një prej seancave terapeuitike ku fëmijët marrin pjesë çdo ditë me përkujdesjen dhe përkushtimin e logopedëve, fizioterapistëve, psikologëve dhe stafit mjekësor të kësaj qendre.

Ministrja Koçiu theksoi se ministria që ajo drejton mbetet e angazhuar për të rritur dhe forcuar më tej shërbimet për fëmijët me aftësi të kufizuar në çdo bashki të vendit, ku falë Fondit Social në 5 vitet e fundit janë ngritur 20 qendra rehabilituese.
Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Tiranë ofron shërbime diagnostikuese, trajtuese dhe rehablituese në nivel kombëtar, me shtretër dhe ambulator, për fëmijët e moshës 0-18 vjeç me probleme të neurozhvillimit si autizmi, sindroma Down, paraliza cerebrale, etj. (Irma)