Përmeti pret aktivitetin “Aventura e fundit e Europës”
2024-03-23 14:48:38

Rafting (Foto ATSh)

Rafting (Foto ATSh)

Përmeti pret këtë fundjavë aktivitetin “Aventura e fundit e Europës”, me një sërë aktivitetesh e sporte në natyrë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, përmes një postimi në rrjetet sociale, cituar nga “ATSH”, ftoi të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë event, për të shijuar natyrën, bukurinë dhe aventurën.

“Edhe këtë fundjavë, shihemi në Përmetin e ëmbël plot aktivitete e sporte në natyrë që i sjell “The Last Adventure of Europe”, ku mund të gjeni ngjitje, shtigje me biçikletë, eksplorim të natyrës, muzikë, lojëra për fëmijë, koncert, argëtim dhe “Kampionatin Kombëtar të Rafting” në Vjosë”,- shkruan ministrja Kumbaro.

Gjatë këtij eventi do të zhvillohen aktivitete sportive të ndryshime si rafting, ngjitje, shtigje me biçikletë, eksplorim të natyrës, muzikë, lojëra për fëmijë, koncert, argëtim, aktivitete ndërgjegjësuese rreth Vjosës dhe “Kampionati Kombëtar i Rafting” në Vjosë.

Ky aktivitet organizohet me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Bankës Botërore, Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkisë Përmet. (Irma)