Shqipëria feston Sulltan Nevruzin, politika uron besimtarët
2024-03-23 14:23:40

 Festa e bektashinjve (Foto:RTSh)

Festa e bektashinjve (Foto:RTSh)

Besimtarët bektashianë shqiptarë festojnë Ditën e Sulltan Nevruzit. Kryegjyshi botëror bektashian, haxhi dede Edmond Brahimaj, uroi për bekime nga Zoti, që njerëzit ta duan më shumë njëri tjetrin, të bëjnë mirë e të ecin përpara duke pasur dashamirësi në zemër.

“Secili duhet të njohë vetën, të mundë egon dhe urrejtjen e të mbjellë paqe”,- tha baba Mondi.

Drejtuesit më të lartë të shtetit uruan besimtarët bektashianë me rastin e Ditës së Sulltan Nevruzit.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi nga teqeja e Baba Aliut në Alipostivan të Përmetit për festën e Sulltan Nevruzit, përcjell “RTSH”.

Kryeministri Edi Rama uroi besimtarët bektashianë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke postuar imazhe nga kurora e malit Sevaster në Selenicë.

Ëmbëlsia e kësaj feste të fisnikërisë e ringjalljes bektashiane le të shpërndahet e përshkojë jetët e vatrat familjare të të gjithë shqiptarëve që kremtojnë këtë ditë të shënuar, deklaroi kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, duke shprehur urime për mbarësi, mirëqënie, dashuri dhe paqe.

“Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë tuaja”,- ishte urimi i bërë nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Festa e Sulltan Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri sipas sektit bektashian, të shpresës dhe ringjalljes për njerëzimin dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. (Irma)