BE bie dakord me kusht për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën
2024-03-23 14:17:24

Foto:VCG

Foto:VCG

Liderët e Bashkimit Evropian ranë dakord me kusht për të hapur bisedimet zyrtare me Bosnjë-Hercegovinën për anëtarësimin në BE, deklaroi presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, në një postim në “X”, përcjell “ATSH”.

“Ky vendimi është një hap kyç përpara në rrugën drejt BE-së. Tani puna e vështirë duhet të vazhdojë në mënyrë që Bosnjë-Hercegovina të përparojë në mënyrë të qëndrueshme”, shkroi Michel.

Sipas zyrtarëve të BE-së, vendimi do të thotë se negociatat e anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën janë zyrtarisht të hapura, por nuk i lejon ende Brukselit dhe Sarajevës zyrtare të fillojnë bisedimet.

Bosnjë-Hercegovinës do t’i duhet të demonstrojë përparim të mëtejshëm në çështje të tilla si reforma gjyqësore dhe lufta kundër korrupsionit. Më pas, Komisioni Evropian do të duhet të propozojë një plan për bisedimet e quajtura kornizë negociuese, që ka nevojë për miratimin unanim të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së të vendeve anëtare.

“Ne do të mbështesim propozimin e KE-së për hapjen e negociatave. Por, përpara se të bihet dakord për kornizën e negociatave, është thelbësore që Bosnjë-Hercegovina të përmbushë të gjitha veprimet e nevojshme”,- tha kryeministri holandez Mark Rutte. (Irma)