Kryeministri Rama: Porto Romano, investim me rëndësi strategjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë
2024-03-23 14:46:04

Porto Romano (Foto ATSh)

Porto Romano (Foto ATSh)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se porti i ri tregtar i Porto Romanos është një investim i një rëndësie strastegjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë.

Gjatë një interviste televizive, kryeministri Rama tha se porti tregtar i Durrësit do të jetë fitimprurës për shtetin dhe shqiptarët, ndërsa theksoi se porti mundëson përpunim të volumeve shumëfish sesa ato që mund të përpunohen sot, shkruan “ATSH”.

“Porti aty është spostuar sepse ai port është një turp i pashembullt në mes të Europës. Ai port është burim shëmtie që ngarkon e shkarkon qymyr, çimento mu në zemër të qytetit është një port që i përket kohës që nuk është bota jonë, por bota e shkatërruesve të rithemeluar”,- deklaroi kryeministri Rama, duke theksuar se ai port duhej hequr një orë e më parë nga ai vend edhe sikur mos të paraqiteshin investitorë.

Po ashtu, kreu i qeverisë shqiptare tha se porti do të ketë edhe kompenentin ushtarak si bazë e NATO-s e para bazë ushtarake e NATO-s e ndërtuar në Europë për këtë qëllim në këtë kohë.

“Porto Romano e vendos Shqipërinë në pozitë strategjike jashtëzakonisht të fortë, sepse duke pasur parasysh financimet për hekurudhën e Korridorit 8, lidhjen direkte Itali-Shqipëri-Maqedoni e Veriut dhe më tej, krijon akses më të shpejtë dhe mundësi ekonomike në raport me atë që ndodh sot në Portin e Selanikut”, nënvizoi Rama. (Irma)