KE miraton dokumentin për reformat brenda BE-së para zgjerimit
2024-03-22 10:24:06

Foto nga VCG

Komisioni Evropian (KE) miratoi një dokument për reformat brenda Bashkimit Evropian (BE) para zgjerimit të bllokut 27-anëtarësh. Dokumenti lidhet dhe me rishikimin e politikave për vendet që aspirojnë t’i bashkohen Unionit dhe kontribuon në procesin e vazhdueshëm të diskutimit rreth reformave të brendshme që BE-ja do të duhet të bëjë për t'u përgatitur për një Bashkim të zgjeruar, shkruan “RTSH”.

Ai shikon implikimet e një BE-je më të madhe në katër fusha kryesore - vlerat, politikat, buxheti dhe qeverisja - duke hedhur bazën për rishikimet e politikave të parazgjerimit të shpallura nga presidentja e KE-së Ursula von der Leyen në fjalimin e saj për Gjendjen e Bashkimit 2023.

Sipas tij, vendet anëtare u pajtuan që BE-ja të reformohet, në mënyrë që të jetë e gatshme për zgjerimin e radhës, përfshirë në aspektin politik, ligjor dhe financiar.

Në këtë plan, të publikuar pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve, përfshihen edhe propozimet për integrim gradual të vendeve të ardhshme anëtare, para se ato të bëhen edhe formalisht vende anëtare të bllokut.

Dokumenti do të duhet të kontribuojë në procesin e reformave të brendshme të BE-së, në mënyrë që ajo të jetë me kohë e gatshme për pranimin e anëtarëve të ri. Kjo, sipas BE-së, duhet të shkoj paralelisht me përgatitjen e vendeve kandidate për t’u bërë anëtare.

Dokumenti i Komisionit Evropian analizon edhe implikimet që mund të ketë zgjerimi i ardhshëm i bllokut në fushat kryesore politike të tij, prej politikës së përbashkët të jashtme të BE-së, vlerave të përbashkëta, ndryshimeve klimatike, procesit të miratimit të vendimeve, tregut të përbashkët, e deri te buxheti i BE-së.

“BE duhet të thellohet para se të zgjerohet. Duhet të nisim të bëhemi gati për unionin e së ardhmes dhe të shfrytëzojmë zgjerimin si katalizatorë të progresit. E gjithë Evropa ka përfituar nga zgjerimi. Me të BE-ja është bërë tregu më i madh i integruar në botë. Kjo ka hapur kanalet tregtare dhe financiare të cilat kanë siguruar rritje ekonomike si në BE, ashtu edhe në vendet në procesin e zgjerimit. Kjo ka forcuar edhe peshën globale të BE-së”, thuhet në këtë dokument.

Në këtë moment në procesin e zgjerimit janë 10 vende. Ato janë gjashtë vende nga rajoni i Ballkanit Perëndimorë - Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Kosova, si Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Nëntë prej tyre kanë edhe statusin e vendit kandidat.

KE-ja kërkon në dokumentin e saj që vendet të cilat synojnë anëtarësimin në BE, para se të realizojnë atë qëllim, të zgjidhin problemet dypalëshe që kanë me fqinjët, sepse BE-ja nuk dëshiron të importojë probleme të tilla të pazgjidhura.

Qasja e bazuar në meritat individuale dhe në raportet e mira ndërfqinjësore do të mbeten kushte kyçe në procesin e zgjerimit. (Irma)