Dita Botërore e Pyjeve, mbillen 40 mijë fidanë të rinj në Voskopojë
2024-03-22 10:15:52

Foto nga Facebook Mirela Kumbaro

Në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, ministrja shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, mori pjesë në pyllëzimin e 21 hektarëve sipërfaqe pyjore në zonën e Krushovës, në bashkinë Korçë, në kuadër të aktiviteteve të Vitit të Pyjeve, shkruan “RTSH”. 

Aksioni për mbjelljen e 40 mijë fidanëve u organizua nga Bashkia Korçë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve, së bashku me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Korçës dhe Fakultetin e Shkencave Pyjore, për të pyllëzuar dhe rigjeneruar vegjetacionin e dëmtuar nga zjarret e shkaktuara vite më parë.

Ministrja Kumbaro deklaroi se nismave të Vitit të Pyjeve tashmë u janë bashkuar rreth 50 bashki, me një mobilizim në të gjithë vendin për rritjen e sipërfaqeve pyjore dhe miradministrimin e tyre.

Gjatë aktivitetit në zonën e Voskopojës, ministrja Kumbaro e vuri theksin edhe te bashkia Korça si një ndër bashkitë me performancën më të mirë bazuar në analizën e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, por ka ende për të bërë për sa i përket planit të menaxhimit, si një prej bashkive me sipërfaqe të konsiderueshme të pyjeve.

Kumbaro e vlerësoi shumë të rëndësishëm në Vitin e Pyjeve partneritetin me Universitetin Bujqësor të Tiranës. (Irma)