Ana Brnabiç zgjidhet kryetare e Kuvendit të Serbisë
2024-03-22 11:33:44

Foto nga VCG

Ish-kryeminsitrja dhe zyrtarja e Partisë Progresiste serbe në pushtet, Ana Brnabiç, është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Serbisë.

Nga 158 deputetë të pranishëm në seancën parlamentare përkatës, 153 votuan pro caktimit të saj në detyrë, shkruan “RTSH”. 

Pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës nuk ishin të pranishëm në votim. Brnabiç u propozua për kryetare të parlamentit nga partia e saj që së bashku me partnerët ka shumicën në Parlamentin e vendit me 250 deputetë.

Debati treditor për emërimin e Brnabiç u shoqërua me tensione në sallën e Kuvendit, me kundërshtime të forta nga opozita për propozimin e qeverisë për caktimin e saj në krye të Parlamentit.

Brnabic është zëvendëskryetare e Partisë Progresiste serbe e presidentit Aleksandër Vuçiç që fitoi 46.7 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit.

Partneri në koalicion i kësaj partie, Partia Socialiste Serbe, mori 6.55 për qind të votave. Koalicioni opozitar pro Evropës, Serbia Kundër Dhunës, doli forca e dytë në votime me 23.66 për qind të votave.

Rezultati i zgjedhjeve u pasua me një valë protestash ku u pretendua për manipulim të votave.  (Irma)