Shqipëria, vendi i tretë në botë për aplikimet për azil në vendet e BE-së
2024-03-22 11:45:30

Foto nga VCG

Raporti i Eurostat-it për vitin 2023 tregon se ishin 9145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian, ose 331 aplikime për 100 mijë banorë, nga 17 aplikime për 100 mijë banorë, që është mesatarja e të gjithë aplikimeve në BE, duke e bërë Shqipërinë vendin e tretë në botë për aplikime për azil në vendet e unionit, përcjell “Panorama”.

Nga të dhënat e bëhet e ditur se Franca vijon të jetë vendi më i preferuar për shqiptarët për të kërkuar azil, me 3530 aplikime, apo 38% të totalit në vitin 2023. Gjermania renditet e dyta, me 2225 aplikime apo 24% e totalit.

Sipas të dhënave nga Agjencia Europiane e Statistikave, në vend të parë renditet Siria, me 874 aplikime për 100 mijë banorë në vendet e BE-së në vitin 2023, e ndjekur nga Gjeorgjia, me 668 aplikime për azil në BE për 100 mijë banorë.

Maqedonia e Veriut ka parë vitet e fundit një rritje të emigrimit në raport me popullsinë, duke e renditur atë të katërtën në botë, pas Shqipërisë. Në 2023, sipas Eurostat-it aplikimet arritën rekordin e viteve të fundit, në 6760 të tilla.

Kosova u rendit e 12-a në botë, me 162 aplikime për 100 mijë banorë. Serbia renditen në vendin e 21-të, me 68 aplikime për 100 mijë banorë, Mali i Zi me 58.1 (vendi i 25-të) dhe Bosnjë-Hercegovina e 48-a, me rreth 49 aplikime. (Irma)