FRONTEX: Ulet numri i emigrantëve të parregullt në Ballkanin Perëndimor për vitin 2023
2024-03-22 11:46:33

Foto nga Panorama

Agjencia Europiane e Ruajtjes së Kufijeve, FRONTEX, në raportin vjetor për vitin 2023 mbi zhvillimet e emigracionit të parregullt në Europë, shkruan se rruga e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria, pati rënie prej rreth 31%, me rreth 99.000 raste të evidentuara të emigrimit të parregullt, përcjell “Panorama”.

Sipas raportit, më pak se 9 mijë emigrantë të huaj të parregullt u evidentuan në brendësi të territorit shqiptar, ku pjesa më e madhe e të cilëve kanë hyrë nga Greqia në pikën e Qafë Botës në Sarandë.

Shqipëria është pjesë e Rrugës së Ballkanit Perëndimor ku emigrantët e parregullt që hyjnë nga kufiri jugor dhe juglindor shqiptar me Greqinë kalojnë tranzit për të udhëtuar nga zonat veriore në drejtim të Malit të Zi apo Kosovës me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Prurjet emigratore në Shqipëri u lidhën ngushtësisht gjatë vitit 2023 me situatën në kampet greke të emigrantëve, me ritmin e hyrjes së emigrantëve të parregullt në Greqi, kryesisht nga kufiri turk, por edhe me aktivitetin e rrjeteve rajonale apo kombëtare të kontrabandimit të emigrantëve.

Autoritetet shqiptare firmosën vitin e kaluar një marrëveshje bashkëpunimi me FRONTEX-in, që synon të sigurojë shkëmbimin e informacionit në lidhje me pretendimet për shkelje të të drejtave themelore në aktivitetet operacionale të FRONTEX-in në territorin e Shqipërisë.

FRONTEX-i nisi operacionin e përbashkët në Shqipëri, operacionin e parë të agjencisë në Ballkanin Perëndimor, në maj 2019. Aktualisht janë 162 oficerë evropianë të rojeve kufitare që punojnë së bashku me Policinë kufitare Shqiptare.

Sipas FRONTEX-it, numri i kalimeve të parregullta në kufirin e jashtëm të Bashkimit Europian arriti në rreth 380.000 në vitin 2023, i nxitur nga një rritje e mbërritjeve përmes rajonit të Mesdheut.

Në përmbledhjen e FRONTEX-it thuhet se në vitin 2024 menaxhimi i kufijve evropianë do të vazhdojë të përballet me një sfidë të madhe karakterizuar nga mundësia për rritje të prurjeve migratore dhe krimit ndërkufitar.

Rreziqet për vitin 2024, sipas FRONTEX, mund të pritet të prekin kryesisht rrugët e Mesdheut Qendror dhe Lindor.  (Irma)