OKB: Viti 2024 pritet të thyejë rekordin për temperaturat e larta
2024-03-22 11:52:58

Foto nga VCG

Viti 2024 do të jetë viti më i nxehtë ndonjëherë, duke tejkaluar edhe rekordin e regjistruar në 2023-shin, thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara, ku theksohet se temperaturat e larta pritet të rriten për të paktën 1.5 gradë celsius, shkruan “Panorama”.

Kombet e Bashkuara bënë të ditur se viti 2023 përmbylli një 10-vjeçar shumë të nxehtë, por që nuk do të jetë fundi.

“Ekziston një probabilitet i lartë që viti 2024 të thyejë sërish rekordin e 2023-shit”,- deklaroi shefi i monitorimit të klimës, Omar Baddour.

Për raportin e parashikimit të motit, shefi i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar një fatkeqësi.

“Toka po lëshon një thirrje fatkeqësie. Ndotja nga derivatet fosile po rrit kaosin klimaterik. Ndryshimet po përshpejtohen”,- ka thënë Guterres.

Kombet e Bashkuara kanë ngritur alarmin se përpos rritjes së temperaturave, edhe akullnajat kanë filluar të shkrijnë shpejt dhe niveli i detit është rritur. (Irma)