Guvernatori Sejko: Vendimmarrja e BSH-së e bazuar në të dhënat e treguesve ekonomikë
2024-03-22 16:14:01

Guvernatori Sejko (Foto Atsh)

Guvernatori Sejko (Foto Atsh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se vendimmarrja e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e bazuar në të dhënat e disa treguesve ekonomikë.

Guvernatori Sejko theksoi gjatë një konference shtypi se Banka e Shqipërisë në varësi të të dhënave që do të ketë mbi inflacionin, do të reagojë me qëndrimin saj të politikës monetare, duke marrë parasysh faktin që inflacioni gjatë muajit shkurt ishte 2.6% një nivel që është nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%, citon “ATSH”.

Sipas tij, norma mesatare e inflacionit gjatë dy muajve të parë të vitit, ka qenë në nivelin 3.4% në janar dhe 2.6% në shkurt. Por, nëse inflacioni do të vazhdojë të bjerë, ka implikime të tjera.

Ai theksoi se qëndrimi i politikës monetare do të jetë në varësi të ecurisë së inflacionit dhe të parametrave të tjerë makroekonomikë në vend si PBB, punësimi, etj.

“Në kushtet që nuk parashikohet një rënie e theksuar e inflacionit, duke qenë që ne kemi pasur dhe një rritje të kujdesshme të normës së interesit, mendojmë që jemi në rregull për momentin me qëndrimin politikës monetare. Por, kjo do të shikohet. Ndoshta do të kemi presione inflacioniste më të ulëta për të ndikuar në rënien e inflacionit dhe atëherë ne do të reagojmë. Gjithmonë qëndrimi do të jetë i bazuar në të dhëna”,- tha guvernatori Sejko. (Irma)