INSTAT: Fondi i pagave në hoteleri, rritje me 23.1%
2024-03-21 14:35:14

Tirana (Foto ATSH)

Tirana (Foto ATSH)

Fondi i pagave në hoteleri në tremujorin e katërt të vitit 2023 shënoi rritje me 23.1% krahasuar me tremujorin e katërt 2022, ndërsa numri i të punësuarve u rrit me 4%. Në raportin e fundit të INSTAT-it thuhet se shitjet neto në volum në aktivitetin e hotelerisë u rritën me 23.2%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022, citon “ATSH”.

Fondi i pagave në aktivitetin e tregtisë shënoi rritje me 18.3%, krahasuar me tremujorin e katërt të 2022-shit.

Ndërkohë, numri i të punësuarve shënoi rritje 0.9%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.

Në aktivitetin e transportit, fondi i pagave shënoi rritje me 14.9%, ndërsa numri i të punësuarve shënoi rritje me 4.1%.

Në aktivitetin “bar-restorante”, në tremujorin e katërt 2023, shitjet neto në volum u rritën me 5.4%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022, numri i të punësuarve shënoi rritje 0.5%, ndërsa fondi i pagave shënoi rritje 13.9%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022. (Elona)