INSTAT: Tregtia me pakicë shënoi rritje me 4.8%
2024-03-21 11:12:51

Foto nga VCG

Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi rritje me 4.8% në tremujorin e katërt të vitit që shkoi, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022. INSTAT-i publikoi raportin mbi tregtinë me pakicë, sipas të cilit, ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur 1.1%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e katërt 2023 është rritur me 5.7%, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2022, citon “ATSH”.

Në grupin “ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 5.3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.

Volumi i shitjeve për grupin “artikuj joushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” është rritur 6.2%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës. Në grupin “tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 4%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022. Në ndryshimin vjetor prej 4.8%, në tremujorin e katërt 2023 ndaj tremujorit të katërt 2022, në tregtinë me pakicë, grupi “artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” kontribuoi me 2.3 pikë përqindje. (Elona)