Bruksel - Samit dyditor i BE-së për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme
2024-03-21 15:34:47

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel (Foto RTSH)

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel (Foto RTSH)

Liderët e Bashkimit Europian do të mblidhen në një samit dyditor në Bruksel më 21-22 mars.

Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel, në një letër drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së para samitit, ka bërë të ditur disa nga pikat që do të jenë pjesë e diskutimeve në këtë samit, ku përfshihen mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën, situata në Lindjen e Mesme dhe procesi i zgjerimit, citon “RTSH”.

“Në vitin e tretë të konfliktit në Ukrainë, ne përballemi me një moment kyç. Urgjenca, intensiteti dhe vendosmëria e palëkundur janë të domosdoshme. Detyra jonë kryesore është sigurimi i shpejtë i ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe, duke u mbështetur në iniciativat e fundit si ajo e Çekisë, prokurimi i shpejtë dhe dërgimi i municioneve në Ukrainë. Ky Këshill i Europës do të jetë një mundësi për të forcuar dhe përshpejtuar këto përpjekje. Për më tepër, ne duhet të fokusohemi në zbatimin efektiv të sanksioneve tona, si dhe në avancimin e përpjekjeve tona për përdorimin e fitimeve të papritura nga asetet e pamobilizuara”,- shkruhet në letër.

Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Michel dënoi sulmet e 7 tetorit, ndërsa kërkon armëpushim urgjent të qëndrueshëm për mbrojtjen e civilëve.

“Është e domosdoshme që të trajtojmë situatën në Lindjen e Mesme. Mizoritë e sulmeve të 7 tetorit dhe lufta që pasoi në Gaza kanë kaluar pragun e çnjerëzores. Shumë civilë kanë humbur jetën. Shumë jetë të pafajshme janë në rrezik për shkak të situatës katastrofike humanitare në Gaza dhe urisë. E drejta ndërkombëtare duhet të respektohet plotësisht. Një armëpushim i qëndrueshëm nevojitet urgjentisht për të mbrojtur civilët, për t'i lejuar pengjet të kthehen të sigurt dhe për të siguruar që ndihma humanitare mund të ofrohet sipas nevojës”,- thuhet në letër. (Elona)