“Vlora 2030”, hap i rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm
2024-03-21 17:12:42

Aktiviteti Vlorë (Foto ATSH)

Aktiviteti Vlorë (Foto ATSH)

Në qytetin e Vlorës u prezantua plani strategjik “Vlora 2030”, i realizuar nga Agjencia Strategjike Rajonit të Puglia-s (ASSET) nën koordinimin e rajonit italian të Puglia-s.

Në prezantimin e këtij plani ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, këshilltari i rajonit të Puglia-s për zhvillimin ekonomik Alessandro Delli Noci, konsullja e përgjithshme e Italisë në Vlorë, Iva Palmieri, kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, Ervis Moçka, etj.

Moçka e cilësoi këtë plan një hap të rëndësishëm drejt një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm për qarkun e Vlorës.

“Dokumenti “Vlora 2030” ofron një vështrim të qartë për mundësitë dhe potencialet e sektorëve të turizmit dhe bujqësisë, duke hapur rrugën për zhvillim në të gjitha nivelet”,- tha Moçka, citon “ATSH”.

Vlora është një ndër qytetet turistike dhe më të vizitueshme në Shqipëri, sidomos gjatë verës. Qyteti bregdetar është edhe më i preferuar nga turistët italianë, të cilët vitet e fundit kanë qenë të shumtë. (Elona)