Tatimet: Rritje rekord e të ardhurave në 2 muajt e parë të vitit
2024-03-21 17:18:10

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (Foto RTSH)

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (Foto RTSH)

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se ka arritur rezultat rekord në realizimin e të ardhurave, me një rritje prej 21% gjatë 2-mujorit të parë të vitit 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas një informacioni të publikuar në rrjetet sociale, cituar nga “RTSH”, të ardhurat e mbledhura në buxhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjatë 2-mujorit të këtij viti arritën 22.7 miliardë lekë ose 21% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Administrata Tatimore informon se rritja rekord e të ardhurave është shënuar në të gjithë zërat, pavarësisht se kontrollet në terren janë ulur në nivel historik, çka tregon konsolidim të sistemit në realizimin e treguesve të tij.

“Konkretisht, të ardhurat për muajin shkurt 2024 janë realizuar 24% ose 5.65 miliardë lekë më shumë se shkurt 2023. Ndërsa krahasuar me 2-mujorin e vitit 2023, këtë 2-mujor 11.4 miliardë lekë ose 21% më shumë”, - njofton DPT-ja në rrjetet sociale. (Elona)