Investimet në Sazan/Rama: Vetëm nëse ruhet ekuilibri mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës
2024-03-20 10:10:45

Foto nga Panorama

“Nëse investimi në ishullin e Sazanit përputhet me vizionin e qeverisë për një ekuilibër mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës, atëherë do të ecet para me këtë projekt”. Deklarata u bë nga kryeministri Edi Rama, në një prononcim për media nga selia e PS-së, ku foli për interesin e kompanisë së madhe ndërkombëtare në fushën e turizmit me sipërmarrës Jared Kushner për të investuar në ishullin e Sazanit, shkruan “ATSH”.

“Është një ambicie e kahershme, për hir të së vërtetës, e kanë pasur edhe qeveritë e paraardhësve të mi, por nuk është bërë ende realitet. Më parë ka qenë e paimagjinueshme që të afroheshin investitorët serioz në Shqipëri. Shqipëria ishte e damkosur si një vend i të gjitha të këqijave”,- tha Rama.

Ndërsa sot, sipas tij, Shqipëria është bërë një adresë gjithmonë e më e kërkuar jo vetëm nga turistët, por edhe nga investitorët e huaj.

“Ne jemi absolutisht të kënaqur që kemi një propozim. Propozimi duhet të kalojë disa shkallë. Është bërë një aplikim sipas ligjeve në fuqi në Agjencinë e Investimeve të Huaja, AIDA. Do ta shqyrtojmë dhe nëse projekti përputhet me vizionin tonë dhe me domosdoshmërinë e krijimit të një ekuilibri mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës, duke e kthyer natyrën në asetin kryesor të atij zhvillimi, atëherë do të ecim përpara”,- tha Rama. (Elona)