Ministrja Manastirliu: Investojmë në 80 laboratorë të shkencave në shkolla
2024-03-20 10:38:11

Foto nga ATSH

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, bashkë me ambasadorin turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, inspektoi laboratorët bashkëkohorë të shkencave në gjimnazin “Sami Frashëri”, të cilët janë financuar nga Agjencia Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim - TIKA.

“Në lëmin e inovacionit dhe teknologjisë është pikërisht investimi në dije dhe investimi për kërkimin shkencor, që nuk fillon në universitet, aty thellohet, por fillon që në arsimin parauniversitar dhe këta laboratorë të rinj janë standardi më i lartë i laboratorëve në strukturat tona të arsimit, një model fantastik që ne do ta replikojmë edhe në struktura të tjera arsimore”,- tha ministrja Manastirliu.

Nga gjimnazi “Sami Frashëri”, ministrja Ogerta Manastirliu tha se do të vijojë zgjerimi i laboratorëve të shkencave dhe unifikimi i mjeteve didaktike për të gjitha shkollat, nga periferia në qendër, për ta bërë procesin mësimor më praktik, tërheqës dhe efektiv për nxënësit, citon “RTSH”. 

“Për vitin e ri shkollor 2024-2025 ne kemi planifikuar 80 laboratorë të biologjisë, kimisë, fizikës, të cilët do t’i shtohen infrastrukturës laboratorike në shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm”,- tha Manastirliu.

Ministria e Arsimit dhe Sportit do të zgjerojë edhe strukturat laboratorike të TIK në 216 shkolla në vend. (Elona)