Protestat e fermerëve, BE do të vendosë tarifa për grurin rus
2024-03-20 10:19:30

Foto nga VCG

Bashkimi Europian po përgatitet të vendosë tarifa për importet e drithërave nga Rusia dhe Bjellorusia për të qetësuar fermerët dhe disa shtete anëtare, bën të ditur “RTSH”. BE-ja i ka rezistuar prej kohësh presionit nga Polonia dhe shtetet baltike për të kufizuar importet ruse dhe bjelloruse, duke argumentuar se një veprim i tillë mund të prishë tregjet globale të ushqimit dhe të dëmtojë vendet në zhvillim.

Komisioni Europian pritet që në ditët në vijim të vendosë një tarifë prej 95 euro për ton për drithërat nga Rusia dhe Bjellorusia. Kjo do të rriste çmimet me të paktën 50%.

Tarifa prej 50% do të vendosen gjithashtu për farat e vajit dhe produktet e derivuara. Importet e BE-së nga Rusia të produkteve si drithërat, farat vajore dhe derivatet e tyre arritën një rekord prej 4 milionë tonësh në vitin 2023, 1% e konsumit të përgjithshëm të BE-së.

Në Poloni, fermerët janë ngritur në protesta për importet më të lira nga Ukraina dhe Rusia, që sipas tyre kanë minuar tregun e drithit vendas. (Elona)