Borrell me propozim konkret për përdorimin e aseteve ruse për blerjen e armëve
2024-03-20 15:43:33

Borrell (Foto RTSH)

Borrell (Foto RTSH)

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, u shpreh të martën se do të propozonte që blloku europian të përdorte 90 për qind të fitimeve që gjenerohen nga asetet ruse që janë ngrirë në Europë për të blerë armë për Ukrainën, përmes fondit europian të paqes, bën të ditur “RTSH”.

Kryediplomati europian iu tha gazetarëve në Bruksel se do të propozonte gjithashtu që 10 përqindëshi i mbetur i këtyre fitimeve të transferohej në buxhetin europian për ta përdorur për nxitjen e kapacitetit të industrisë ukrainase të mbrojtjes. 

Borrell ndërkohë tha se propozimin do t’ua paraqiste shteteve anëtare, para samitit të udhëheqësve të BE-së që zhvillohet këtë të enjte dhe të premte. 

Shefi i diplomacisë europiane theksoi se synimi ishte përdorimi i fitimeve nga asetet ruse që mbahen në Europë dhe jo i vetë aseteve.

Sipas tij, këto fitime mund të shkonin deri në 3 miliardë euro në vit. (Elona)