Netanyahu: Qëndrim i përbashkët me kancelarin gjerman se Hamasi duhet të eliminohet
2024-03-19 17:50:31

 

Kancelari gjerman-kryeministri izraelit (Foto Rtsh) 

Kancelari Olaf Scholz është dakord që Hamasi duhet të eliminohet, deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pas një takimi me zyrtarin gjerman në Jeruzalem, shkruan “ATSH”.

“Ndërsa Izraeli ra dakord me Scholz se ndihma humanitare duhej të rritej nga toka, deti dhe ajri, dhe Izraeli do të bënte gjithçka që mundej për të minimizuar viktimat, ne gjithashtu ramë dakord që Hamasi të eliminohej”,- tha Netanyahu.

“Ne nuk mund të kemi një të ardhme për Gazën, një të ardhme për paqen, një të ardhme për Izraelin nëse Hamasi, një organizatë terroriste e angazhuar për gjenocidin tonë, mbetet i paprekur. Nëse ndodh kjo, atëherë ai do të rigrupohet, do të ripushtojë Rripin e Gazës dhe do të përsërisë masakrën”, theksoi kryeministri izraelit.

Scholz tha se viktimat e sulmit të 7 tetorit nuk do të harroheshin.

“Mesazhi ynë ka qenë i qartë. Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër terrorizmit të Hamasit dhe të gjithë pengjet duhet të lirohen. Ky krim mizor duhet të marrë fund tani”, tha ai.

Por, kancelari gjerman gjithashtu vuri në dukje koston jashtëzakonisht te lartë në jetë njerëzore dhe tha se kishte ndarë shqetësimet e tij me Netanyahun. (Fatosi)