15 vjet në NATO, ministri Peleshi: Fatlumë që Shqipëria është pjesë e Aleancës
2024-03-19 14:10:00

Flamuri shqiptar (Foto Cna)

Shqipëria shënon këtë vit 15-vjetorin e anëtarësimit në Aleancën më të madhe ushtarake, NATO.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shprehu vlerësimin për kontributin që përfaqësuesit shqiptarë kanë dhënë dhe japin çdo ditë në këtë rrugëtim, shkruan “ATSH”.

“Jemi fatlumë që jemi pjesë e hapësirës së NATO-s, e kësaj Aleance të fuqishme ushtarake. Dua të përgëzoj punën e përditshme që përfaqësia jonë bën për të përcjellë mesazhet, qëndrimet dhe për të lobuar interesat strategjike kombëtare në NATO, në komitete të ndryshme, por edhe në komandat, jo vetëm në Bruksel, por edhe në të gjithë hapësirën e NATO-s”,- deklaroi ministri Peleshi.

Në këtë përvjetor Shqipëria shënon një sërë arritjesh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Më 4 mars, në Kuçovë u inaugurua baza ajrore taktike e NATO-s, e vetmja bazë e Aleancës në rajon, ndërsa modernizimi i Forcave të Armatosura vijon me ritme të shpejta, në përmbushje edhe të detyrimeve të Aleancës. (Fatosi)