Kancelari gjerman: Sulmet izraelite në Rafah dëmtojnë përpjekjet për paqe
2024-03-19 17:01:30

Kancelari gjerman-kryeministri izraelit (Foto Rtsh)

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se viktimat nga ofensiva ushtarake e Izraelit në Rafah mund të pengojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje për paqe.

Scholz theksoi se një numër i madh viktimash në një ofensivë të tillë do ta bënte shumë të vështirë çdo zhvillim paqësor në rajon, shkruan “RTSH”.

Scholz i bëri komentet gjatë një udhëtimi në Akaba të Jordanisë, ku u takua me mbretin Abdullah II dhe më pas udhëtoi për në Jeruzalem, ku u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Gjatë takimit me të, Scholz tha: “Pavarësisht se sa i rëndësishëm është qëllimi, a mund të justifikojë kosto kaq tmerrësisht të larta? Apo ka mënyra të tjera për të arritur qëllimin tuaj”?

Kryeministri Netanyahu tha se s’mund të ketë të ardhme dhe as paqe për Gazën nëse nuk zhduket Hamasi.

Izraeli ka bërë vazhdimisht të ditur se duhet të nisë operacione ushtarake në Rafah për të çrrënjosur pjesën e mbetur të forcave të Hamasit. (Irma)