Kryediplomatët e vendeve baltike: BE-ja duhet të mbështesë Ukrainën të rritë prodhimet luftarake
2024-03-19 17:48:25

Flamuj te vendeve baltike (Foto Oranews)

Nuk mendoj se do të arrijmë një marrëveshje për dërgimin e trupave në Ukrainë, sidoqoftë Lituania mbetet e hapur ndaj çdo opsioni që ndihmon Ukrainën të arrijë fitoren, deklaroi nga Brukseki ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, njofton “ATSH”.

Landsbergis nënvizoi vlerësimin e tij për Ukrainën dhe aftësinë e saj për t’i rezistuar rusëve edhe me ndihmë minimale nga Perëndimi dhe përsëriti nevojën që vendet evropiane të marrin vendime të qarta dhe të shpejta për të mbështetur Ukrainën.

Ministri i Jashtëm letonez, Krisjanis Karins, deklaroi se zgjedhjet presidenciale treguan se Rusia nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs, duke e bërë të nevojshme që Evropa të jetë e qartë dhe e vetëdijshme për rreziqet që kjo sjell.

“Ne duhet të rrisim prodhimin ushtarak evropian. Evropa duhet të kuptojë se niveli dhe cilësia e mbrojtjes së kontinentit do të varet nga rritja e prodhimit të brendshëm ushtarak”, theksoi ai.

Karins nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së manganit midis mallrave të sanksionuara, pasi metali do të përdorej në mënyrë aktive nga industria ruse e mbrojtjes. (Fatosi)