Turqia përfshihet në marrëveshjen për pastrimin e Detit të Zi nga minat
2024-03-19 16:20:07

Minat ne det (Foto Rtsh)

Turqia, Bullgaria dhe Rumania nënshkruan në janar një marrëveshje për pastrimin e Detit të Zi nga minat e luftës në Ukrainë. Por, aksidentet e anijeve të mallrave në minat detare po nxjerrin në pah kërcënimet në rritje për një prej rrugëve më të rëndësishme detare për eksportin e drithërave dhe energjisë, shkruan “RTSH”.

Tayfun Ozberk, ish-oficer i Marinës turke që tani punon si analist për çështjet e mbrojtjes, tregon se aksidentet me anijet e transportit vijnë pasi anijet tregtare nuk kanë pajisje për të zbuluar minat nga distanca. Sipas tij, ato janë gjysmë të zhytura në ujë dhe kur shihen nga anijet është tepër vonë.

Analistët thonë se eliminimi i kërcënimeve nga minat do të ishte një nxitje e rëndësishme e përpjekjeve të Ukrainës për eksportimin e drithërave drejt tregjeve botërore pas prishjes së marrëveshjes me Rusinë e cila ishte ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara.

Marina turke ka aftësi moderne për pastrimin e minave dhe gëzon mbështetjen e Rumanisë dhe Bullgarisë, por vëzhguesit paralajmërojnë se aleatët e NATO-s përballen me sfida të konsiderueshme.

“Nuk dihet sasia dhe vendndodhja e minave detare. Operacionet e kërkimit, gjetjes dhe shkatërrimit të minave do të marrin shumë kohë”, thotë Tayfun Ozberk, analist për çështjet e mbrojtjes detare.

Sipas Konventës Montreux të vitit 1936, qasja në Detin e Zi bëhet vetëm përmes ngushticës së Bosforit në Stamboll. Konventa, që vihet në zbatim nga Turqia, kufizon anijet detare nga vendet që nuk i përkasin Detit të Zi, të transportojnë një maksimum ngarkese prej 10,000 tonësh për anije, për vetëm 21 ditë.

Si vend anëtar i NATO-s, Turqia po balancon marrëdhëniet e saj me Perëndimin si edhe me Rusinë e Ukrainën në një përpjekje për t'i dhënë fund konfliktit.

Analistët thonë se eliminimi i rrezikut të minave nga rrugët detare në Detin e Zi do të ishte një hap i vogël drejt këtij qëllimi. (Irma)