Vriten disa ushtarë nga një sulm vetëvrasës në një post ushtarak në Pakistan
2024-03-18 14:38:09

Foto nga VCG

Shtatë ushtarë pakistanezë janë vrarë dhe 17 të tjerë janë plagosur të shtunën nga një sulm militant në një post ushtarak në Pakistan, njofton “RTSH”.

“Terroristët përplasën një makinë të mbushur me eksplozivë në një post ushtarak, pastaj kryen sulme të shumta vetëvrasëse me bombë, duke shkaktuar shembjen e një pjesë të ndërtesës”,- njoftoi Ushtria pakistaneze.

Banorët në provincën veriore të Pakistanit, Uaziristan, në afërsi të kufirit me Afganistanin, thanë se një shpërthim i fuqishëm tronditi shtëpitë e tyre dhe u shkaktoi dëmtime.

Sipas Ushtrisë, pesë ushtarë vdiqën nga shpërthimi, ndërsa dy të tjerët nga të shtënat që pasuan, ndërsa të gjithë sulmuesit u vranë gjithashtu.

Ushtria nuk tregoi se cili grup militant e kreu këtë sulm. Megjithatë, përgjegjësinë e mori grupi i porsakrijuar militant, Jaish-e Fursan-e Muhammad.

Liderët e Pakistanit, presidenti Asif Ali Zardari dhe kryeministri Shehbaz Sharif, dënuan sulmin dhe nderuan ushtarët e vrarë. (Fatosi)