Ministrja Denaj: Rreth 1.2 miliardë dollarë për ushqime për sezonin turistik të këtij viti
2024-03-18 10:30:38

Foto nga RTSH

Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj vit pas viti. Këtë vit numri i turistëve parashikohet të arrijë në 14 milionë. Kjo ka vënë nën presion prodhuesit për të ofruar më shumë për përballimin e tyre, njofton “RTSH”.

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, deklaroi se konsumi pritet të arrijë në 1.2 miliardë dollarë. Kjo është një shifër domethënëse për këtë industri çka përkthehet në rritje të të ardhurave për mijëra familje rurale dhe biznese.

“Rreth 980 milionë dollarë ofertë ushqimore u nevojitën për 10.5 milionë turistëve, ndoshta afro 14 milionë turistë të synuar këtë vit do ta çojnë në 1.2 miliardë dollarë presionin e ofertës ushqimore”- deklaroi Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku u diskutua mbi ecurinë e plotësimit të reformave për anëtarësimin në BE, ministrja Denaj theksoi se synim është gjithashtu rritja e eksporteve të produkteve shqiptare dhe depërtimi i tyre në tregje elitare. 

Vlera e eksporteve në fund të 2023-s arriti në 570 milionë euro me gati 64.5 milionë euro rritje vjetore. (Fatosi)