Kryeministri palestinez: Nuk ka shtet pa Gazën
2024-03-18 10:57:03

Foto nga VCG

Kryeministri i sapoemëruar i Palestinës, Mohammad Mustafa, deklaroi se qeveria e re do të punojë për të lehtësuar vuajtjet e popullit palestinez në Rripin e Gazës, njofton “RTSH”.

“Nuk ka shtet pa Gazën dhe në Gaza nuk mund të ketë një shtet larg Al-Kudsit dhe Bregut Perëndimor”,- tha Mustafa.

Agjencia palestineze e lajmeve “WAFA” njoftoi se kryeministri Mustafa në letrën që i ka dërguar presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ka theksuar se pranon detyrën për formimin e qeverisë së 19-të. Ai thotë se është i nderuar që ka për detyrë të formojë qeverinë e re palestineze.

“Jam i vetëdijshëm për seriozitetin e kësaj faze që po kalon çështja jonë kombëtare, për kushtet e vështira në të cilat gjendet populli ynë i vendosur dhe për seriozitetin e problemit. Sulmet ndaj të cilave është i ekspozuar populli palestinez kërkojnë përpjekje më të mëdha, bashkim të radhëve të tyre dhe aktivitete të vazhdueshme në komunitetin arab dhe ndërkombëtar”,- tha ai.

Mustafa, një këshilltar ekonomik për kohë të gjatë i presidentit Abbas, u emërua kryeministri i ri i Palestinës të enjten. Ai mori detyrën nga Mohammad Ibrahim Shtayyeh, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2019 deri në vitin 2024, para se të njoftonte dorëheqjen më 26 shkurt. (Fatosi)