OBSH: Të shqetësuar për planin e Izraelit në Rafah
2024-03-18 11:56:20

Foto nga VCG

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u shpreh i shqetësuar pas njoftimit të dhënë nga zyra e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, se ishin miratuar planet për një ofensivë në Rafah, qyteti më jugor në Gaza, shkruan “ATSH”

“Përshkallëzimi i mëtejshëm i dhunës në këtë zonë me popullsi të dendur do të çonte në shumë më tepër vdekje dhe vuajtje, veçanërisht me objektet shëndetësore tashmë të mbingarkuara”, shkroi kreu i OBSH-së në “X”.

Sipas zyrës së Netanyahut, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit po përgatiten për anën operacionale dhe për evakuimin e popullsisë.

Shefi i OBSH-së tha se palestinezët në Rafah nuk kanë ndonjë vend të sigurt për t’u zhvendosur dhe nuk ka objekte shëndetësore plotësisht funksionale dhe të sigurta që ata mund të arrijnë diku tjetër në Gaza.

“Shumë njerëz janë të brishtë, të uritur dhe të sëmurë për t’u zhvendosur përsëri. Në emër të njerëzimit, i bëjmë thirrje Izraelit mos të vazhdojë me planet dhe në vend të kësaj të punojë drejt paqes. Kjo katastrofë humanitare nuk duhet të lejohet të përkeqësohet”,- shkroi Ghebreyesus. (Irma)