Gjirokastra gjallohet në fundjavë nga aktivitetet festive
2024-03-18 11:36:04

Foto nga Oranews

Foto nga Oranews

Aktivitetet e shumta artistike e kulturore e kthyen qytetin e Gjirokastrës për dy ditë me radhë në epiqendër të festimeve për qytetarët e saj, por edhe për vizitorët vendas e të huaj, shkruan “ATSH”.

Festimet e organizuara nga Bashkia Gjirokastër ishin jo vetëm për ndërrimin e stinëve në Ditën e Verës, por si një festë për të mirëpritur një tjetër sezon të suksesshëm turistik.

Aktivitetet festive kulmuan me ngjyrat e karnavaleve, ku rrugicat e qytetit jehuan nga pjesëmarrja e nxënësve të shkollave, qytetarët gjirokastritë dhe turistët e shumtë.

Fëmijët parakaluan në pazarin karakteristik me madhështi me kostumet e tyre shumëngjyrëshe duke sjellë një atmosferë fantastike që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.

Në paradën e karnavaleve, që u organizua për të katërtin vit, morën pjesë edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, dhe konsulli grek Dimitrios Sacharidis. (Fatosi)