Qyteti i Meksikës feston Ditën Botërore të Gjumit
2024-03-18 12:00:01

foto: VCG

foto: VCG

Qindra persona u mblodhën në qendër të Qytetit të Meksikës në kuadër të Ditës Botërore të Gjumit. Të shtrirë mbi tapetë sintetikë, me kokat mbi jastëkë dhe sytë e mbuluar me maska, pjesëmarrësit lanë pas kaosin e kryeqytetit meksikan për atë që organizatorët e quajtën një demonstratë të paqtë për të drejtën për të fjetur, njofton “RTSH”.

“Duke organizuar një akivitet të tillë u hapim rrugë politikave të reja publike për promovimin e të pushuarit. Kemi ditë të gjata pune, por në mjediset e punës nuk ka ndonjë vend ku mund të merret një sy gjumë apo thjesht të bësh një pushim të shkurtër”,- deklaroi Guadalupe Teran, doktoreshë e Qendrës për Gjumin dhe Neuroshkencën që organizoi aktivitetin së bashku me qeverinë meksikane.

foto: VCG

foto: VCG

Falë një sesioni meditimi, disa nga pjesëmarrësit ranë në gjumë të thellë, ndërsa të tjerë ia dolën të qetësoheshin për pak momente.

Sipas studimeve, gati gjysma e meksikanëve kanë problem me gjumin.

Një raport i vitit 2019 i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim tregoi se Meksika ishte vendi ku punohet më shumë në botë.

Vitin e shkuar, Kongresi i vendit debatoi për një reformë për të ulur orët javore të punës nga 48 në 40. Debati ende vijon.  (Fatosi)