Takim Shqipëri-Greqi për projektet europiane Interreg-IPA
2024-03-17 12:54:16

Interreg Week (Foto Ied.eu)

Interreg Week (Foto Ied.eu)

Njësia e koordinimit të “Interreg Week” në bashkëpunim me agjencinë shtetërore të programimit strategjik dhe koordinimit të ndihmës kanë zhvilluar në Gjirokastër takimin dyditor me 7 bashkitë e qarkut e më gjerë dhe institucionet lokale për çeljen e thirrjes së parë për informimin dhe mënyrën e aplikimit për të përfituar nga projektet ndërrajonale për periudhën 2021-2027, bën të ditur “RTSH”.

Vasilis Haritanis, përfaqësues i “Interreg IPA” nga pala greke, u shpreh se mes dy vendeve ka një bashkëpunim të mirë dhe se projektet e propozuara për të qenë përfituese duhet të jenë në përputhje me objektivat e programit.

“Dita informuese është faza e parë për aplikim nga ana e bashkive dhe institucioneve lokaleve që duan të përfitojnë nga financimi i projekteve zhvillimore në qytetet e tyre. Palët kanë një bashkëpunim shumë të mirë dhe kjo është në interes të të dy vendeve”,- u shpreh Haritanis.

Projektet e propozuara nga ana e instancave të interesuara duhet të përfshijnë së paku dy institucione/organizata, një për çdo vend dhe të kontribuojnë në objektivat e programit: si rritja e kapaciteteve infrastrukturore në zonën ndërkufitare në menaxhimin e transportit, ujit, mbetjeve e të tjerë. (Irma)