Bursa e energjisë, administratori i ALPEX: Ofron standard të lartë dhe është transparente
2024-03-17 10:48:18

Bursa e energjise (Foto Gazetatema)

Bursa e energjise (Foto Gazetatema)

Që nga muaji prill i vitit të kaluar nuk ka pasur asnjë ankesë për abuzim me tenderat e energjisë dhe korrupsion me to. Platforma e operimit të shitblerjes së energjisë ose bursa e energjisë ALPEX përmbush të gjitha parametrat teknikë si bursat europiane.

Sokol Dishnica, administrator i ALPEX-it, flet me detaje për këtë platformë në një intervistë për “RTSH”-në. Sipas tij, ALPEX-i është një platformë e tregtimit të energjisë që garanton qasjen në algoritmin europian “Euphemia”, kryen llogaritjet e çmimeve dhe sasive të energjisë të tregtuara në secilën nga bursat europiane.

“Bursa e energjisë elektrike është pjesë e reformës që qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndërmarrë për të krijuar një treg të organizuar me shumicë për të tregtuar energjinë elektrike. Si e tillë, Shqipëria është tashmë një vend që ka një bursë të konsoliduar prej një viti. Së fundmi kemi projektin e parë të bashkimit të tregjeve me tregun e Kosovës, projekti i parë  brenda Ballkanit Perëndimor. Do ta vlerësoja ecurinë e bursës të mirë, të qëndrueshme, me volume që vijnë në rritje si edhe me interesimin e anëtarëve të bursës që çdo ditë vijnë duke u rritur”,- tha Dishnica.

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike përmbush të gjitha parametrat teknike që bursat europiane kanë si një instrument i ri i digjitalizuar. Ajo mbulon më së miri nevojat e tregut për ngritjen e kapaciteteve të reja prodhuese që janë në ndërtim apo do të ndërtohen.

Në një kohë kur siguria e energjisë është bërë një çështje parësore, ndaj rritjes së konsiderueshme të çmimeve, paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë të furnizimit me energji, ALPEX-i është një instrument efikas për të blerë energji me çmime të stabilizuara, në mënyrë transparente dhe nëpërmjet mekanizmave të drejtë të tregut. (Irma)