Ministri Hasani: Diplomacia ekonomike, rëndësi në rrugëtimin europian të Shqipërisë
2024-03-16 11:54:02

Ministri Hasani (Foto Atsh)

Ministri Hasani (Foto Atsh)

Forcimi i lidhjeve ekonomike midis Shqipërisë dhe Spanjës kontribuon në stabilitetin rajonal të BE-së, Ballkanit Perëndimor si dhe rajonit të Mesdheut, deklaroi ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë Forumit të Biznesit Shqipëri-Spanjë.

Ai theksoi rëndësinë e diplomacisë ekonomike në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, shkruan “ATSH”.

Ministri Hasani theksoi se vendndodhja strategjike dhe mjedisi miqësor ndaj biznesit e bëjnë Shqipërinë një zgjedhje të zgjuar për investitorët dhe turistët.

“Shqipëria është e angazhuar për një mjedis miqësor ndaj biznesit, duke reduktuar burokracitë dhe duke promovuar sipërmarrjen. Trashëgimia e pasur kulturore e Shqipërisë dhe vendndodhja e saj strategjike na lidh me Mesdheun, duke përforcuar angazhimin tonë për të nxitur stabilitetin dhe për të adresuar sfidat e përbashkëta”,- deklaroi ministri Hasani.

Në Akademinë Diplomatike të Spanjës, kryediplomati shqiptar nënvizoi se Mesdheu është një nga tre shtyllat orientuese të politikës së jashtme shqiptare.

“Tre drejtimet kryesore strategjike të politikës së jashtme të Shqipërisë janë: integrimi evropian, dimensioni rajonal dhe dimensioni mesdhetar. Mesdheu është bërë një element i rëndësishëm i politikës sonë të jashtme, por edhe një element i rëndësishëm në marrëdhëniet tona me Spanjën dhe partnerët e tjerë mesdhetarë dhe të BE-së”,- tha ai.

Instituti Mbretëror Elcano, ishte një tjetër ndalesë e ministrit Hasani gjatë vizitës zyrtare në Spanjë, ku theksoi domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Për vitin 2023 Spanja u rendit në vendin e 9-të të partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë. Tregu spanjoll është i 5-i më i madhi në vlerë për eksportet shqiptare dhe furnizuesi i 13-të për Shqipërinë. (Irma)