Presidenti Begaj në Baku: Bashkëpunim mes shteteve e qeverive për të përballuar sfidat aktuale
2024-03-16 11:25:21

Presidenti Begaj (Foto Atsh)

Presidenti Begaj (Foto Atsh)

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në “Global Baku Forum XI”, në Azerbajxhan, një takim i përvitshëm që mbledh udhëheqës dhe personalitete nga e gjithë bota: presidentë, kryeministra, ekspertë të fushave të ndryshme dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare.

Në forumin me temë “Fixing the Fractured World”, presidenti Begaj theksoi domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit mes shteteve dhe qeverive për të përballuar me sukses sfidat aktuale, shkruan “ATSH”.

“Në një botë ku ndasitë duket se sa vijnë e thellohen nga dita në ditë, tema e forumit tonë nuk mund të ishte më urgjente. Jetojmë në një epokë me sfida të pashembullta. Ndryshimet klimaterike, paqëndrueshmëria politike, pabarazitë ekonomike, padrejtësitë sociale, dhe jo vetëm, janë çështje globale që nuk mund të trajtohen vetëm në nivel rajonal. Zgjidhja e tyre kërkon bashkëpunim”,- deklaroi shqiptar.

Në lidhje me rolin e Shqipërisë në rajon, kreu i dhtetit rikonformoi orientimin euroatlantik dhe qëndrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve si faktor kyç për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Presidenti Begaj theksoi se stabilizimi i një bote të trazuar nga ndasitë nuk lidhet vetëm me adresimin e sfidave globale, por me humanizmin, vlerat dhe të ardhmen e përbashkët. “Së bashku, ne duhet të ndërtojmë ura bashkëpunimi, të nxisim zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe të promovojmë paqen dhe sigurinë. Udhëtimi ynë i përbashkët drejt shërimit fillon me hapat që ne ndërmarrim pikërisht sot”, -tha presidenti Begaj.

Gjatë qëndrimit në Baku, presidenti Begaj u takua me homologun azerbajxhanas Ilham Aliyev, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve, perspektivat, si dhe përforcimin e bashkëpunimit ekonomik me fokus tek energjia dhe turizmi.

Në takimin me kryeministrin azerbajxhanas Ali Asadov u vlerësuan zhvillimet pozitive mes dy vendeve (heqja e vizave për shtetasit e dy vendeve dhe krijimi i Komitetit të Përbashkët Shqipëri-Azerbajxhan në ekonomi, teknologji dhe industri), si dhe u theksua potenciali i Shqipërisë si nyje rajonale e shpërndarjes së gazit.

Presidenti Begaj ftoi sipërmarrjen shtetërore dhe atë private në Azerbajxhan të investojnë në Shqipëri. (Irma)