UNRWA: Qendra e ndihmës në Rafah u godit nga forcat izraelite
2024-03-15 11:53:21

Gaza ndihmat (Foto RTSH)

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka bërë të ditur se një anëtar i stafit të saj u vra dhe 22 të tjerë u plagosën kur forcat izraelite goditën një qendër shpërndarjeje ushqimore në Rafah, në Rripin jugor të Gazës.

Shefi i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, tha se sulmet ndaj objekteve ishin bërë të zakonshme në mospërfillje të hapur ndaj ligjit ndërkombëtar humanitar, citon “RTSH”.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi njoftoi se një sulm ajror izraelit vrau pesë persona. Ndërsa Ushtria izraelite ka bërë të ditur se vrau një komandant të Hamasit, duke e identifikuar si Mohammed Abu Hasna, dhe pretendoi se ai kishte qenë një operativ mbështetës luftarak në krahun ushtarak të Hamasit në zonën e Rafahut.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se një sulm izraelit në qytet mund ta zhysë popullin e Gazës në një rreth edhe më të thellë ferri. (Elona)